Marinus Barletius (italisht: Marino Barlezio; shqip: Marin Barleci ose Barleti;[1][2] ~ 1450-1460 – 1512-1513) ka qenë historian dhe prift katolik nga Shkodra. Çmohet si historiani i parë dhe i vetëm shqiptar prej dëshmisë okulare të rrethimit të Shkodrës më 1478. Barleti njihet më shumë për veprën e tij të dytë, një biografi e Skënderbeut, përkthyer në disa gjuhë prej shek. XVI deri XX, që popullarizoi figurën e komandantit arbër së bashku me biografinë e Frangut.[3]
Nëse vite përpara ishte i qartë dallimi mes Barletit dhe Beçikemit,[4][5] sipas një studimi të rishtë, (ri)propozohet se këta dy humanistë janë i njëjti njeri.[6] Frymëzues për punën e Biemmit dhe Spandounesit, Barleti është ende popullor mes historianëve romantikë dhe nacionalistë. Por tashmë kërkimi historiografik mbi Skënderbeun mbështetet më shumë mbi bazën dokumentore sesa mbi veprën e tij.[7]
Biografia
Barleti u lind dhe u rrit në Shkodër, atëherë pjesë e Republikës së Venedikut. Në veprat e tij e quan veten scodrensis (shkodran), ku më pas barazon të qenit shkodran me të qenit epirotas.[8] Për nevojat historiografike termi epirotas nëpër përkthime dhe tekste divulgative është bërë arbër ose shqiptar.[9] Studjuesit në mënyrë të larmishme e kanë vlerësuar që për nga etnia ka qenë italian (Du Cange, Iorga, Ducellier, Bartl) nga Barletta e Puljes,[10] dalmat (Giovio, Czwittinger, Fabricius), ose arbër (Zeno, Fallmerayer, Jireček) nga Balezo (Balezi,[11] Baleci ose Ballëza, në Rrjoll).[8]
Më 1474 Barleti mori pjesë në mbrojtjen e Shkodrës në rrethimin e parë nga ushtria osmane, ashtu si edhe në të dytin për të cilin shkroi një libër. Prindërit e tij u vranë gjatë rrethimeve. Kur Venediku ia lëshoi Shkodrën Perandorisë Osmane më 1479 me traktatin e Kostandinopojës, Barleti vajti në Venedik, ku u bë studjues i historisë, letërsisë klasike dhe i gjuhës latine.
Me të mbërritur në Venedik, iu dha një pension prej dy dykatësh dhe një tezgë kasapi në mishtoren e Rialtos si një burim i përkohshëm të ardhurash. Meqë kjo tezgë u pretendua nga Andrea Pezaro po atë vit, "noteri i gjykatës së lartë", Ludovik Xukoli, ndërhyri dhe këshilloi "djaloshin e sjellshëm" Barleti që të kërkonte "një punë tjetër të përshtatshme për të".[12] Më 1494 u priftërua pas studimeve teologjike në Venedik dhe Padova, dhe u emërua famullitar në kishën e Shën Shtjefnit në Piovene.
Veprat
Rrethimi i Shkodrës
Vepra e parë e Barletit është "Rrethimi i Shkodrës" e shkruar në gjuhën latine (De obsidione Scondrensi, ad Serenissimum Leonardum Lauretanum aristocratiae Venetae principem, conciones variae Meumethae Turearum principe et ex aliis militae praefectis artificiose Compositae), botuar në Venedik për herë të parë më 1504.[10] U rishtyp disa herë në gjuhën italiane, frënge, polake dhe angleze. Në shqip u përkthye nga latinisti Henrik Lacaj.
Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut
Vepra e dytë dhe më e plotë e Barletit, me të cilën u bë i famshëm, është "Historia e Skënderbeut" po në latinisht, me titullin e plotë Mbi sjelljet e jetës dhe punët, veçanërisht kundrejt turqve, bëmat e Gjergj Kastriotit, princi i shkëlqyer i epirotëve, i mbiquajtur Skanderbeg për veprat e tij, ndryshe Aleksandri i Madh. Shkruar prej Marin Barlet Shkodranit (lat. De Vita Moribus Ac Rebus Praecipue Aduersus Turcas, Gestis, Georgii Castrioti, Clarissimi Epirotarum Principis, qui propter celeberrima facinora, Scanderbegus, hoc est, Alexander Magnus, cognominatus fuit, libri Tredecim, per Marinum Barletium Scodrensem conscripti). Vepra u bë burim i një literature të gjerë, të shkruar në gjuhë të ndryshme të botës si portugalishtja, spanjishtja, gjermanishtja më 1533,[10] frëngjishtja, anglishtja, serbishtja, greqishtja e deri në japonisht. Ndryshe prej Rrethimit, për këtë vepër Barleti u mbështet tek dëshmitë e të tjerëve.
Është cilësuar nga Jireçek si burimi kryesor i historisë së Skënderbeut.[13]
Histori e shkurtër e jetëve të Papave dhe Perandorëve
Një vepër e tretë i mvishet Barletit, Histori e shkurtër e jetëve të Papave dhe Perandorëve (Compendium vitarum pontificum et imperatorum, Venecie, 1555).[10] Por kërkimet e reja vërtetojnë që është vepër e Giovanni Stella, botuar nga Bernardino de Vitali.
Mbiemri
Mustafa Kruja në përkthimin e vëllimit "Vëzhgime iliro-shqiptare" të përpiluar nga Thalloczy i radhit tre variante të tejshkruara mbiemrit: Barleci, Barlleci, Bardheci.[13]Çabej e shpjegon emrin Barletius nga një Bardheci, Barlleci etj., emër që vijon si emër familjesh në Shqipërinë e Veriut.[14] Në tre botimet e para të "Rrethimit të Shkodrës" me përkthimin e Lacajt, shënohet Barleci.[15] Përkthyesi i "Historisë së Skënderbeut", Stefan Prifti, radhit në parathënien e përkthimit se në Pukë ndodhet toponimi Bardheti, emër lumi, prej të cilit ai mbron më drejt shqiptimin Barleti kundrejt variantit Barleci.[16]
^Winter, Susanna (2006). Venezia, l'altro e l'altrove: aspetti della percezione reciproca (në italisht). Edizioni di storia e letteratura. fq. 31. ISBN9788884983244.
^Cordignano F., L'Albania a traverso l'opera e li scritti di un grande Missionario italiano: il P. Domenico Pasi S.I. (1847-1914), Roma: Instituto per l'Europa Orientale, 1934, fq. 26.
^Nadin, Lucia (2008). Mërgim e integrim: Shqiptarët në Venedik 1479-1552 [Migrazioni e integrazione: il caso degli Albanesi a Venezia (1479-1552)]. Përkthyer nga Pëllumb Xhufi. Tiranë: 55. fq. 40. ISBN9789994356416.
^Studime filologjike, Tiranë: Akademia e Shkencave e RPSSH, Instituti i Gjuhësisë dje i Letërsisë, 1984, fq. 143.
^Barleci M., Rrethimi i Shkodrës, Tiranë: Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, 1967.
^Prifti, Stefan (1967). Lacaj, Henrik (red.). Hyrje: Disa shënime për jetën, veprën dhe vlerën e Barletit si historian [Marin Barleti, Historia e Skënderbeut]. Tiranë: Shtëpia botuese "Naim Frashëri". fq. 6. OCLC8991403.